Hongjian-8
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Hongjian-8 ("Shigjeta e kuqe"), njihet edhe me emrin HJ-8. HJ-8 është rraketë antitanke e gjeneratës së dytë e prodhuar nga NORINCO dhe në përdorim nga Ushtria Çlirimtare e Popullit e Republikës Popullore të Kinës që nga fundi i viteve '80. Ajo zëvendësoi rraketën antitanke të gjeneratës së parë, HJ-73. Është rraketë e ngjashme dhe përdoret për të njëjta detyra luftarake si TOW, prodhim i SHBA.
Rraketa përshkruhet si e lëshuar nga tubi, me shënjim optik dhe e drejtuar me kabëll. Rraketa ka rreze të gjatë veprimi, është e paisur me lëndë eksplozive të fuqishme dhe mund të penetrojë blind me trashësi deri në 1000mm. Versioni më i fundit i kësaj rrakete, HJ-8E, u mor në përdorim nga ushtria kineze në mes të viteve '90. Mendohet se ky version ka cilësi luftarake më të mira se shumë nga armët e ngjashme të prodhimit perëndimor, si për shembull MILAN e prodhuar nga Franca + Gjermania.
Cilësitë luftarake të armës janë shumë të ngjashme me ato të TOW të prodhimit të SHBA dhe arma konsiderohet si e saktë dhe me besueshmëri të lartë. Versioni HJ-8E ka një rreze veprimi deri në 4000m. Është arma standarte antitank në përdorim nga ushtria kineze në helikopterët WZ-10, Mi-17, dhe Gazelle.
Gjatë konfliktit mes Izraelit dhe Libanit në vitin 2006, forcat e Hezbollahut i shkaktuan dëme të mëdha forcave tankiste izraelite. Disa rraketa të kapura trofe nga forcat izraelite dukeshin të ishin HJ-8. Disa burime pretendojnë se armët e kapura nuk janë prodhime origjinale, por kopje iraniane të rraketës së prodhimit pakistanez, Baktar-Shikan. Baktar-Shikan është kopja pakistaneze e HJ-8 e prodhuar me licencë nga Pakistani.
Me datë 4 dhjetor 2006, gazeta Shekulli njoftoi se Shqipëria zotëron një sasi rraketash HJ-8 të blera në vitin 1995. Nga artikulli nuk del i qartë numri i rraketave. Oficerët shqiptarë u stërvitën në Kinë për përdorimin e këtyre rraketave gjatë vitit 1994. Sipas artikullit, këto rraketa kishin skaduar. Ka mundësi që autori i shkrimit ka ngatërruar kohën e skadimit me periudhën e kontrollit dhe të mirëmbajtjes periodike të armës.