Mehmet Shehu
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Mehmet Shehu lindi në 10 janar 1913 në fshatin Çorush të Mallakastrës, vdiq më 13 Dhjetor 1981 në Tiranë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Më pas vazhdon Shkollën Teknike, të cilën e mbaron më 1932. Shkon në Napoli, Itali për të studiuar në Kolegjin Ushtarak. Përjashtohet për ide revolucionare nga Kolegji. Largohet nga Italia dhe kthehet në Shqipëri ku burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu, punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve. Titullohet në vitin 1937. Në dhjetor 1937 shkon në Spanjë ku merr pjesë në brigadat vullnetare anti-fashiste. Më 1939 pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj kthehet në Francë dhe qëndron në një kamp përqëndrimi. Kthehet në Shqipëri në gusht 1942. Lidhet me PKSH dhe caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës.
Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare ka kryer një numër detyrash të rëndësishme:
- Shkurt 1943 komandant i Çetës Plakë të Mallakastrës.
- Mars 1943 kandidat i K.Q.
- Gusht 1943 komandant i Brigadës I Sulmuese.
- Maj 1944 zv. komandant i Divizionit I Sulmues me gradën e kolonelit.
- Gusht 1944 komandant i Divizionit I Sulmues.
- Tetor 1944 i jepet grada gjeneral-major.
Mbas çlirimit të Shqipërisë dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik. Në periudhën 1945-1946 studion në Akademin Ushtarake "Voroshillov" në Moskë. Mbas përfundimit të studimeve ktheht në Shqipëri ku në vitin 1947 emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Në periudhën 1948-1954 kryen njëkohësisht detyrën e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të punëve të brendshme. Nga viti 1954 deri në vitin 1981 është Kryeministër (Kryetari i Qeverisë).
Që nga viti 1948 deri 1981 ishte anëtar i Byrosë Politike. Fliste 5 gjuhë të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe rusisht. Kreu vetëvrasje në Tiranë më 13 dhjetor 1981.
Ky artikull nga Politika është një faqe cung. Mund të ndihmoni Wikipedian duke e përmirësuar. |