Mihal Grameno
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Publicist i shquar, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike, Hero i Popullit. Lindi në Korçë në një familje atdhetare nga shtresa zejtare dhe tregtare. Në moshë të re mërgoi në Bukuresht, ku u lidh me shoqërinë "Drita". Hyri në lëvizjen kombëtare që nga fundi i shek. XIX. Në vitet 1907-1908 luftoi në radhët e Çetës së Çerçiz Topullit, më 1909 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Për veprimtarinë e tij u dënua disa herë me burgim prej qeverisë osmane. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. Në vitet 1921-1924 ishte një nga veprimtarët në zë të lëvizjes demokratike. Vdiq në Korçë më 5.2.1931.
Krijimet e para letrare e publicistike të Mihal Gramenos panë dritën e botimit në fillim të shek.XX. Hartoi këngë patriotike, disa prej të cilave, si "Për mëmëdhenë", "Lamtumirë", "Uratë për liri"u përhapën gjerësisht në popull. Është ndër nismëtarët e dramaturgjisë e të prozës së gjatë shqipe. Shkroi komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe (1905) dhe dramën historike Vdekja e Pirros (1906) që trajtojnë tematikën patriotike, novelat Oxhaku (1904-1905), Varri i pagëzimit (1909) dhe E puthura (1909), në të cilat gjeti pasqyrim me nota sentimentaliste jeta e përfaqësuesve të vegjëlisë, me brengat e saj të përditshme.
Fusha ku spikati talenti i Mihal Gramenos është publicistika. Bashkëpunoi me disa organe, por shumicën e shkrimeve e botoi në gazetat Lidhja orthodhokse (1909-1910) dhe "Koha"(1911-1926), të cilat i drejtoi vetë. Shkrimet e tij publicistike shquhen për idetë demokratike dhe frymën luftarake. Mihal Grameno luftoi me këmbëngulje kundër shovinizmit fqinj dhe politikës osmanizuese të xhonturqve.
![]() |
Ky artikull nga Literatura është një faqe cung. Mund të ndihmoni Wikipedian duke e përmirësuar. |