Ndrek Luca
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Ndrek Luca lindi më 3 shtator 1927 në Dukagjin. Është një aktor i mirënjohur shqiptar.
Pasi punoi disa kohë si ushtarak në aviacion, qysh nga viti 1950 vijoi si aktor në Teatrin Popullor me rolin e Shpend Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria” të K. Jakovës. Spikati më vonë me rolin e Jagos në tragjedinë e Shekpsitit “Otello”, të Lekës në dramën “Toka jonë” e K. Jakovës. Në dramën “Arturo Ui” të Brehtit, Ndrek Luca luajti rolin e Xhirit duke sendërtuar me një gjuhë shprehëse, përkitazi parimeve brehtiane të teatrit, planet satirike me ato dramatike. Krijoi një karakter të spikatur e realist me rolin e Brung Trolit (drama “Përmbytja e madhe” e K. Jakovës), kurse në dramën “Baca i Gjetajve” të F. Krajës interpretoi rolin e Bacës, një malësor trim, dinjitoz, i përmbajtur, ku është e pranishme po aq edhe një kahje e fortë dramatike.
Luca është aktor i thyeshëm, që operon me plane të ndryshme interpretative, sa komike po aq tragjike, sa heroike po aq të rëndomta, duke e “thyer” modelin paraprak. Është nga aktorët e zëshëm të filmit artistik shqiptar, duke realizuar mbi 30 figura, të veçanta në llojin e tyre, si Dom Marku (“Komisari i dritës”), Ndrio (“Udha e shkronjave”), Gjini (“Plagë të vjetra”), Pjetër Mustaqekuqi (“Operacioni zjarri”), Rahmiu (“Dueli i heshtur”) etj. Ndrek Luca zotëronte një mimikë tepër ekspresive; përdorte me mençuri gjestin e figurshëm, plastikën dhe mjete të tjera të njëmendësimit pamor të personazhit.
[redaktoni] Filmografia
- Viktimat e Tivarit - (1996)
- Balada e Kurbinit - (1990).... Padishahu
- Guri i besës - (1986)
- Koha nuk pret - (1984) (TV)
- Lundrimi i parë - (1984)
- Fundi i një gjakmarrjeje - (1983)
- Qortimet e vjeshtës - (1982)
- Nusja -(1980)
- Nga mesi i errësirës - (1978)
- Udha e shkronjave - (1978) (TV)......Ndrio
- Pylli i lirisë - (1976) .....Zotni Galipi
- Thirrja - (1976)
- Tinguj lufte - (1976) .... Selimi
- Në fillim të verës - (1975)
- Rrugicat që kërkonin diell - (1975)
- Shpërthimi - (1974)
- Shtigje të luftës - (1974)
- Operacioni zjarri - (1973)........Pjetër Mustaqekuqi
- Njësiti guerril - (1969)
- Prita - (1968)
- Duel i heshtur - (1967) .... Kapter Rahmiu
- Oshëtime në bregdet - (1966) .... Jonuz Bruga
- Komisari i dritës - (1966) .... Prifiti
- Detyrë e posaçme - (1963) .... Tomori