Spiridon T.Ilo
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Spiridon T. Ilo
Spiridon T. Ilo lindi në Korçë në vitin 1876. Në moshë fare të re emigroi në Bukuresht, Rumani. Në Rumani, ai u lidh me organizatat patriotike shqiptare në mërgim. Në datën 5 nëntor 1912, Spiridon T. Ilo do të marrë pjesë mbledhjen e mbajtur në Hotel Kontinental të Bukureshtit, dhe të drejtuar nga Ismail Qemali. Në këtë mbledhje u vendos shpallja e pavarësisë së Shqipërisë. Sipas informacionit të djalit të tij, Spiridon T. Ilo mori flamurin shqiptar që zbukuronte sallën dhe e solli atë në Vlorë. Me datë 27 nëntor 1912, ai qëndroi në shtëpinë e tezes së tij Marigo Posio. Marigo Posio i qepi këtij flamuri një rradhë thekësh dhe bëri disa ndryshime tek shqiponja. Ky flamur u ngrit në Vlorë në 28 nëntor 1912. Spiridon T. Ilo mori pjesë në mbledhjen për shpalljen e pavarësisë si përfaqësues i Korçës, që në atë periudhë ishte nën pushtimin grek.
Në vitin 1913 u largua nga Shqipëria dhe u kthye në Rumani. Në vitin 1916 emigroi në New York, SHBA ku hapi një kafene të vogël. Spiridon T. Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike Albanian Phonograph Records në SHBA në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, Albanian Phonograph Records luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940. Spiridon T. Ilo krey regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, të Albanian Phonograph Records, himni u këndua nga Spiridon T. Ilo dhe tenori arbëresh Giuseppe Mauro.
Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Mbas këtij viti, ai punoi si taksambledhës. Vdiq në Korçë në vitin 1950.
Autor i tekstit dhe muzikës së këngëve patriotike "Të gjithë ne o djema", "Eja mblidhuni këtu, këtu" etj.
![]() |
Ky artikull është një faqe cung. Mund të ndihmoni Wikipedian duke e përmirësuar. |