Agim Zajmi
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Agim Zajmi lindl në Tiranë në 1936.
Skenografi më i vlerësuar në teatrin shqiptar. Studioi pikturë dhe skenografi në San Petersburg, Rusi, ku u diplomua më 1961. Pas diplomimit fillon punën si skenograf në Teatrin e Operës dhe Baletit, por më vonë punon kryesisht në Teatrin Kombëtar të Tiranës. Herë pas herë realizon skenografi në teatrot e Kosovës dhe Shkupit.
Duke filluar nga viti 1978 është profesor në Akademinë e Arteve të Tiranës. Ka ekspozuar veprat e tij në pikturë në Francë, Itali, Angli, Greqi, Turqi, Austri, Egjipt, etj. Një pjesë e këtyre veprave ruhen në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë si dhe koleksione private në vende të ndryshme të botës.
Si skenograf ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare të teatrit. Është fitues i shumë çmimeve kombëtare në pikturë dhe skenografi. Më 1991 u nderua me titullin “Piktor i Popullit”, ndërsa më 1995 iu dha titulli Profesor. Vazhdon të realizojë skenografi në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe të japë mësim në Akademinë e Arteve në Tiranë. Është President i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve Figurativë, me qendër në Tiranë.