Ali Riza Ulqinaku
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Hafiz Ali Riza Ulqinaku lindi në Ulqin në vitin 1855, në familjen e një barkatari, që banonte në lagjen Rana pranë bregut të detit. Babai i tij quhej Jakub Behluli, prej fisit Usta Ali. Në Ulqin e thërrisnin Hafiz Ali Gjoku, sipas familjes që njihej edhe me këtë emër.
Mësimet i filloi në Ulqin te myderrizi Sali ef Hylja. Në Medresenë e Ulqinit mësimet i ka ndjekur deri në librin Fenari. Me rënien e Ulqinit nën Mal të Zi, më 1880 familja e tij emigroi në Shkodër bashkë me 413 familje të tjera që u shpërngulën nga Ulqini. Në kohën kur iu lehtësua pikëllimi dhe mjerimi i madh, që e dërrmoi moralisht e materialisht familjen e tij, Hafiz Aliu vendosi të vazhdonte mësimet në Medresenë e Shkodrës dhe aty e mori ixhazetin (diplomën e medresesë). Pas kryerjes së Medresesë në Shkodër, Hafiz Aliu në vitin 1882 emërohet mësues i shkollës fillore në lagjen Dudas të Shkodrës. Ishte djalosh në moshë 27- vjeçare. Diskutabil duhet të jetë edhe transferimi i Hafiz Aliut nga Shkodra për në Lezhë. Në disa burime thuhet se, me kërkesën e popullit të qytetit të Lezhës, në vitin 1889 emërohet imam dhe mësues në shkollën fillore e këtij qyteti, si dhe myfti pranë Babu-Meshihatit. Mirëpo gjuhëtari dhe orientalisti i njohur Tahit N. Dizdari (tani i ndjerë), autor i veprës madhore Orientalizmat në gjuhën shqipe pohon se prej disa ulemave regresistë u përgatit një mazbatë kundër tij, çka i kushtoi edhe transferimin për në Lezhë. Sidoqoftë, në Lezhë Ali Ulqinaku do të vendoset familjarisht e do të qëndrojë 24 vjet radhazi, deri në fund të jetës së vet. Ky qytet do ti bëhet si një vendlindje e dytë. Këtu do të njohë kulmin e karrierës së tij, do të realizojë prodhimtarinë më të rëndësishme kulturore dhe dotë lërë pasardhësit që të jetojnë edhe sot e kësaj dite Hafiz Aliu vdiq në Shkodër më 23 prill 1913. Është varrosur në xhaminë e Shaban-efendisë në Mahallë të Re. Varri i tij sot nuk gjendet.