UÇPMB
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
UÇPMB (Ushtria Çlirimtare për Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc)
Duke shfrytëzuar rrrethanat e krijuara të pasluftës në Kosovë dhe në rajon, një guerile tjetër shqiptare do ta shohë dritën në Luginën e Preshevës. Prezenca ndërkombëtare në rajon, konkretisht, zona e sigurisë etj, ndikuan që UÇPMB-ja ta ngritë çështjen e fjetur të këtyre tokave shqiptare në një problem ndërkombëtar.
UÇPMB-në, ashtu si dhe UÇK-në, e kishte formuar Lëvizja Popullore e Kosovës, një organizatë e vjetër mbarëshqiptare. Mirëpo, me përfundimin e Luftës në Kosovë, drejtoria politike e UÇK-së, me në krye Hashim Thaçin, në një mbledhje në Prizren, përpiqen ta shkatërrojnë LPK-në. Këto përpjekje në mbledhje i kundërshtoi vendosmërisht Ali Ahmeti, i cili bashkë me Emrush Xhemailin, Fazli Veliun etj., më vonë do të arrijnë ta riorganizojnë LPK-në
E tash, me krijimin e rrethanave të reja, duke qenë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe aparati i tij partiak u përpoqën ta shpartallojnë nga brenda UÇPMB-në. Për ta, kjo qe dëshmia që do t'ia jepnin perëndimorëve për përkushtimin e tyre të rigjetur paqësor. Ky intervenim i paskrupull do të mbjellë anarki në Luginën e Preshevës. Pasojat do të jenë të mëdha, sepse prej kësaj lëvizjeje guerile nuk do të mund të formohet një delegacion unik dhe kompetent për t'u përballë në negociatat e paqes me palën serbë.
Gozhda e mbramë në arkivolin e UÇPMB-së u vu pas ndërrimeve në kreun e Beogradit. NATO-ja kish kohë që po e ndante bezdisjen e serbëve, grekëve etj. kundrejt nacionalizmit të rizgjuar shqiptar. "Po t'u japësh shqiptarëve gishtin, ata ta shkulin krahun" ishte asokohe komenti standard i perëndimorëve. Shqiptarët thjesht s'u kishin lindur perëndimorëve te dardha e shtrembër, që t'u drejtonin të gjitha padrejtësitë historike.
UÇPMB-ja kish mbijetuar në Zonëne Ndaluar prej 5 km rretheqark Kosovës, ku serbët s'kishin të drejtë të plasojnë armatim të rëndë që prej fushatës së NATO-s. Më të rënë të Millosheviçit, u pa puna që kjo zonë do të anulohej, e se UÇPMB-së i kish rënë këmbana.
Çarmatosja e shpartallimi "vullnetar" i UÇPMB-së u imponua nga emisarët e NATO-s e të Thaçit. Lugina e Preshevës iu dhurua pastaj liderëve të ri serbë si dëshmi e simpative perëndimore pro tyre, e për ta forcuar autoritetin e Koshtunicës e të Xhinxhiçit në sytë e nacionalistëve serbë.
Manovra pati sukses të plotë, meqë e shpartalloi themelshëm rrymën aktiviste në Luginën e Preshevës. Dy vjet pas shpartallimit të UÇPMB-së, shqiptarët e atjeshëm morën pjesë për herë të parë që pas fillimit të viteve 1990 në zgjedhjet lokale serbe, përkundër ftesave të izoluara të aktivistëve për bojkot. Liderët e rrymës moderate ndër shqiptarë fituan ndikim në tri komuna me shumicë shqiptare, kjo përbrenda sistemit serb që komunave u ofron zero ndikim në punët e pushtetit.