Xheladin Beqiri
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Xheladin Beqiri, Hero i Popullit, kish lindur në një familje fshatare të varfër, në Gjilan - Kosovë. Të atin ia kishin vrarë serbët. Për të jetuar, ishte shtrënguar të punonte si shërbëtor qysh në moshën e fëmijërisë, duke bredhur nga krahina në krahinë, deri sa qe vendosur në Kurvelesh. Duke qenë i vuajtur dhe i rrahur me jetën, ai qe nga të parët që iu përgjigj thirrjes së Partisë Komuniste, për të rrëmbyer armët dhe për të luftuar pushtuesit. Hyri në çetën e parë të Kurveleshit në 1942. Pastaj kaloi komandant i çetës "Hajredin Tremishti" me komisar Hasim Zenelin. Ishte i dalluar si luftëtar besnik ndaj komunizmit dhe ndaj popullit, trim dhe i ndershëm, i thjeshtë dhe i dashur me shokët, i vendosur për të flijuar jetën në luftën për çlirim. Në tetor 1942, pranohet anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare dhe me krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese emërohet zv/komandant i batalionit të parë. U emërua komandant i batalionit të pestë, një javë mbasi u kthye nga kongresi i Përmetit, ku merrte pjesë si delegat. Xheladin Beqiri ra heroikisht më 6 qershor 1944, në Qafën e Gjarprit.
[redaktoni] Burimi
- "Kadri Mahmud Shametaj treçerek shekulli në këmbë" faqe 168-169, me autorë Dr. Zihni Haskaj - Bektash Zite.