Zenel Gjoleka
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Zenel Gjoleka ka qenë udhëheqës i lëvizjes fshatare në Shqipërinë e Jugut në vitet 30-40 të shek. XIX. Në fillim të veprimtarisë së tij luftarake Zenel Gjoleka shërbeu si komandant mercenarësh shqiptarë në ushtrinë osmane. Kur filluan të zbatoheshin edhe në trojet shqiptare reformat e Tanzimatit, ai u bashkua me qëndresën popullore antiosmane.
Kur shpërtheu kryengritja e madhe fshatare e vitit 1847, Kuvendi i Masaplikut (Vlorë, Qershor 1847) e zgjodhi atë komandant të forcave kryengritëse. Ai udhëhoqi trimërisht kryengritjen në zonën midis Kurveleshit, Çamerisë, Delvinës, Gjirokastrës dhe Vlorës. Pasi u shtyp kryengritja Zenel Gjoleka u kap tradhëtisht dhe u internua në vise të thella të Anadollit. Më vonë, qeveria osmane e fali dhe ai hyri përsëri në shërbim ushtarak deri sa më 1852 u vra.