Robert Shvarc
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Albanolog, shkrimtar, përkthyes dhe shqipërues i përkryer. Robert Shvarci lindi në Sarajevë, më 10 dhjetor, 1932 nga një baba hebre nga Austria dhe një nënë nga Elbasani, por ai dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, që nisi ta mësonte në moshën gjashtëvjeçare. Shvarci përktheu disa nga veprat më të mëdha botërore në shqip, ndër të cilat mund të përmenden romanet e Remarkut, Gëtes, Fojtvangerit, Apicit, Travenit dhe Markezit. Robert Shvarc u nda nga jeta para kohe, më 25 prill 2003, pas një sëmundjeje të gjatë zemre.
Në vijim një artikull i shtypit, që bën fjalë për Robert Shvarcin.
Robert Shvarci nderohet sonte nga Presidenti i Republikës me titullin Mjeshtër i Madh. Ky titull do t'i dorëzohet atij gjatë një ceremonie që do të zhvillohet në orën 18.00, në Odeonin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Përkthyesi i njohur Robert Shvarc e merr këtë titull pak kohë pas marrjes së një tjetër titulli, atij të Qytetarit të Nderit të Tiranës. Ky titull iu dha atij me rastin 70-vjetorit të lindjes.
Emri i Robert Shvarcit prej vitesh është shndërruar në simbol të gjuhës gjermane në Shqipëri. Një domethënie për këtë ka qenë pikërisht viti 1995, kur përkthyesi i njohur u nderua nga ambasada gjermane në Tiranë me çmimin "Kryqi i meritave gjermane". Duhet kujtuar këtu se Shvarci ishte i pari njeri i kulturës shqiptare, që arriti ta merrte këtë titull pikërisht në fushën e përkthimit. Gjithashtu ky titull është dhe i pari që presidenti gjerman i asaj kohe akordoi për një figurë të shquar të vendeve të Lindjes. Pas titullit që do të marrë sot nga presidenti Alfred Moisiu dhe titujve të lartpërmendur, qëndrojnë një varg i gjatë librash të përkthyer nga gjuha gjermane në shqip dhe anasjelltas. Mjafton që të hapësh kopertinat e një serie të gjatë librash për të lexuar emrin e përkthyesit të tyre, Robert Shvarc. Mes këtyre librave, që janë ndër më mjeshtërorët, vlen të përmenden: Tre shokë, Harku i Triumfit, Asgjë e re nga fronti i Perëndimit, Shkëndija e jetës apo Obelisku i zi nga Erih Maria Remark; Çifutka e Toledos, Fransisko Goja nga Lion Fojtvanger; dhe drama të Bertolt Brehtit, Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj, Kënga e një nëne gjermane, Ditët e Komunës, Arturo Ui, Pushkët e nënës Karrar, Opera për tre grosh, Baali; nga Heinrich Hajne: Gjermania, përrallë dimri; nga Gëte dhe Shileri: Poezi dhe balada. Ndërsa mes autorëve shqiptarë që ai ka përkthyer në gjuhën gjermane janë: Rexhep Qosja, Dritëro Agolli, Gaqo Bushaka,Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Hatibi, Ahmeti, Beqiri etj.
Ja se si e përshkruan njohjen me Robert Shvarcin një djalosh nga Tirana.
"Kur ishim studentë, ndonjë herë kur ndodhte që xhepat t'i kishim të ngrohtë, bëheshim dy-tre shokë dhe shkonim për të pirë ndonjë kakao te bar Drini mbrapa Sahatit. Ai, atëherë, sa ishte rindërtuar e, ajo që na tërhiqte të kapërcenim pragun e tij ishte më tepër, konceptimi i tij modern e tepër i veçantë për kohën. Bari ishte plot xhama, duralumin e poltrona shlodhëse e mbulesa të pastra, fikuse e lule shqiponja e, në mure, ishin vendosur edhe disa relieve në bakër, tepër moderne, të punuara nga Maks Velo... Aty shihja herë pas here të vinin artistë e shkrimtarë të njohur e, kjo gjë, ne studentëve të letersisë na jepte rastin e ëndërruar t'i njihnim ata nga afër... Por, të them të drejtën, personi që më bënte shumë përshtypje, ishte një burre i ri, i cili qysh në shikimin e parë, të jepte përshtypjen e "një të huaji". Me një pardesy të zezë e të shkurtër mbi gjunjë, dorashka lëkure, një kapele të vogël republikë, sy depërtues e disi të shpërqëndruar, me fytyrë rozë e të pastër të pa zënë nga dielli ( gjë që ishte e pazakontë për fytyrat mat e ngjyrë gruri të shqiptarëve ), ai ngjante më tepër me ndonjë punonjës ambasade... Kush është ky e njeh, pyeta shokun tim D.M që në rastin e parë... Eshtë Robert Shvarci, nuk e njeh, përkthyesi i "Tre shokëve" ?... Unë mbeta i shtangur dhe e pashë si Mesinë. Që prej asaj dite nuk e harrova kurrë imazhin e tij, ku dukej qartë orgjina e një kombësie tjetër përzier me absurdin egzistencialist shqiptar..." Simbad Detari
[redaktoni] Tituj të veprave
Libra të perkthyer nga gjermanishtja:
- nga Erih Maria Remark
- Tre shokë
- Harku i Triumfit
- Asgjë e re nga fronti i Perëndimit
- Shkëndija e jetës
- Obelisku i zi
- nga Lion Fojtvanger
- Çifutka e Toledos
- Fransisko Goja
- nga Bruno Apic
- Lakuriq në mes të ujqërve
- nga Leon Uris
- Eksodi
- drama të Bertolt Brehtit
- Nëna Kurajë dhe fëmijët e saj
- Kënga e një nëne gjermane
- Ditët e Komunës
- Arturo Ui
- Pushkët e nënës Karrar
- Opera për tre grosh
- Baali
- nga Hajnrih Hajne
- Gjermania, përrallë dimri
- nga Gëte dhe Shileri
- Poezi dhe balada
Perkthime ne gjermanisht te veprave te shkrimtareve:
![]() |
Ky artikull nga Literatura është një faqe cung. Mund të ndihmoni Wikipedian duke e përmirësuar. |