Çatin Saraçi
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Paskal "Çatin" Saraçi, (Chatin Sarachi) i biri i Gjok Saraçit, lindi më 1902 në Shkodër. Çatini ishte fëmija i pestë i familjes dhe kishte tre vëllezër me emrat Patuk, Sandër dhe Tonin dhe një motër me emër Adelajde (Muzhani). I lindur në një familje tregtare, që në moshë të re rritet kolegjeve të Evropës, dhe pjesën më të madhe të studimeve e kryen në Vjenë.
Tabela e përmbajtjeve |
[redaktoni] Aktiviteti artistik
Misioni diplomatik i Saraçit ne Londër filloi ne vitin 1933. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia më 1939 e gjeti Çatin Saraçin në Legatën Shqiptare ku mbulonte rolin e ambasadorit.
Po në vitin 1939 Saraçi u takua për herë të parë me Oscar Kokoschkan dhe filloi bashkëpunimi i tyre i gjate ne fushën e pikturës. Kokoschka, u bë mik i ngushtë i Saraçit dhe influencoi punimet e këtij të fundit. Dy piktorët banuan përkohësisht në Scarsdale Studios që gjënden në Stratford Road (afër Kensington Road), thuajse ngjitur me Galerine Pride. Gjatë kësaj periudhe ata punuan së bashku dhe lanë si dëshmi të miqësisë së tyre, mjaft pitura dhe vizatime të njëri-tjetrit. Emri i Saraçit në historinë e pikturës angleze figuron si ai i një përfaqësuesi të impresionizmit britanik dhe i një kolegu dhe miku të Oscar Kokoschkas. Ekspozitën e parë Saraçi e hap në “Redfern Gallery” në vitin 1945. Në vitet 1950-1960 ai hapi dhe dy ekspozita të tjera. Vdiq më 1974 në Londër ku në vitin 1975 në përkujtim të tij u hap një ekspozitë me 50 punime. Ekspozita e fundit dedikuar punimeve te Çatin Saraçit u hap në Londër, pranë “Pride Gallery” në vitin 1988. Gjatë karrierës së tij, Çatin Saraçi ka hapur rregullisht ekspozita personale në Londër, në Dublin dhe në Paris
[redaktoni] Aktiviteti politik
Me marrjen e pushtetit nga Ahmet Zogu, Çatin Saraçi i bashkohet administratës së Zogut si diplomat. Aurel Plasari, që është redaktor dhe autor i parathënies së kujtimeve të Çatin Saraçit, përkthyer nga Virgjil Muçi, shkruan kështu për Çatinin;
“Bashkëkohësit, si zëmadhi Paul Getty, e kanë kujtuar figurën origjinale të këtij diplomati shqiptaro-evropian në Legatën Shqiptare në Vjenë, që ai drejtonte, mbushur me sixhade persiane e argjendurina të moçme ballkanike, e cila kundërmonte vazhdimisht dyllë, temjan dhe obst schnaps, posaçërisht në sallën e vogël të pritjes me mure në kadife ngjyrë vishnje; ulur në piano me kryet përkulur mbi kraharor, ndërsa luante Rahmaninovin. Ashtu sikurse e kanë përshkruar të huaj të befasuar prej njohjeve me të nëpër sallonet londineze të pritjeve diplomatike, në kohën kur përfaqësonte Shqipërinë në Mbretërinë e Bashkuar: kryelartë e paksa të hutuar, gjithë good manners, veshur në tweed skocez ngjyrë gri të mbyllët, qepur me siguri prej ndonjë rrobaqepësi të Vjenës, me jakën e lartë të kollarisur, kravatën flutur, dorashkat prej filli, me formulën gati-shpotitëse “very kind of you” në majë të gjuhës dhe një kumb befasues zëri mes tingëllimës së filxhanëve prej porcelani. Me siguri që fort pak syresh kanë ditur që brenda asaj “figure” mondane gjallonte një fuqi shpirtërore e pazakonte, ndërsa mbrapa syve të tij bënte punën e vet dhuntia e aftësisë për të depërtuar edhe në skutat më të errëta të shpirtit njerëzor; fjala vjen: deri në ferrin e një pushtetari. Ishte padyshim një lëçitës i mirë i Machiavellit, sikurse lexuesit do ta dallojnë dhe, ndoshta, edhe i Guiçiardinit...”.[1]
Çatin Saraçi la të shkruar dëshminë e tij për Zogun, apo “njeriun e lig”, siç e quante ai në një daktiloshkrim me titull të pastabilizuar; historia e një njeriu të lig, apo Zogu i shqiptarëve. Sipas Plasarit, edhe këto shënime historike mund të quhen “libër i pambaruar”, sipas planit fillestar të autorit, i cili flet për një vepër madhore, gati me karakter enciklopedik për të gjitha etapat e Zogut. (Dorëshkrimi i Chatin Sarachi (Çatin Saraçit), diplomat në kohën e Zogut, i ruajtur në një bankë të Londrës i është dorëzuar Bibliotekës Kombëtare, nga albanologu Robert Elsie).[2]
[redaktoni] Referenca
- ^ Panorama, data 13 nëntor 2006: Botohet libri “Zogu i Shqiptarëve”, me jetën ndryshe të mbretit: “Ju rrëfej krimet, vjedhjet dhe injorancën e Ahmet Zogut”. Rrëfimet e Çatin Saraçit, që thotë se ka qenë miku i ngushtë i tij.
- ^ Panorama, data 14 nëntor 2006: Fakte dhe histori të treguara nga Fritz Radovani: Ja e vërteta e vrasësit dhe pazaret e bëra... “Luigj Gurakuqin e vrau Çatini” Kushëriri i rilindësit i shkruan shefit të Oborrit Mbretëror