Vitamina B1
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Vitamina B1 ose ndryshe me emrin kimik Tiamina, është një vitaminë e pangjyrë (apo e bardhë) me formulë kimike C12H17N4OS. Tretet në ujë dhe nuk mund të tretet në alkool. Tiaminet në qoftë se nxehen e humbin funksionin.
Kjo vitaminë është e pazëvendësueshme për funksionin e sistemit nervor. Në qoftë se për 14 ditë nuk merret vitamina B1 në organizëm, atëherë harxhohen për 50% rezervat e tij trupore.
Tabela e përmbajtjeve |
[redaktoni] Pak histori
Sipas anglezëve për herë të parë kjo vitaminë u zbulua nga Umetaro Suzuki në Japoni, pasi që ai studioi se si orizi i paqëruar i shëroi pacientët me sëmundjen Beri-Beri. Për këtë ai e emëroi atë acidi aberik.
[redaktoni] Vetitë
- Masa molare: 337,27 g/mol
- Gjendja agregate: e fortë (e ngurtë)
- Pika e shkrirjes: 248 °C
- Tretet në ujë
[redaktoni] Roli biologjik
Tiamin-pirofosfati ose vitamina B1 është një ko-enzimë e dehidrogjenazës së piruvatit, dehidrogjenazës së α-ketoglutaratit dhe e transketolazës. Kjo d.m.th se kjo vitaminë ka një rol të rëndësishëm në metabolizmin e karbohidrateve dhe yndyrave dhe më këtë në mirëmbajtjen e indit nervor, muskulit të zemrës dhe në transmetimin e përçimit të nervave.
Si difosfat i tiaminës (koenzimë i dekarboksilazave dhe i transketolazës) punon në eliminimin e karbohidrateve në tru dhe në muskuj. Po ashtu nga kjo vitaminë varen edhe kondicioni trupor dhe kujtesa. Forcon qarkullimin e gjakut dhe është e nevojshme për prodhimin e acidit të lukthit. Ka rëndësi në shndërrimin e karbohidrateve në yndyra dhe d.m.th në fitim e energjisë nga karbohidratet (pasi që është ko-enzimë e dehidrogjenazës së piruvatit, një kompleks enzimash, i cili e shndërron piruvatin në acetil-CoA).
[redaktoni] Burimet e Vitaminës B1
Radhitur sipas sasisë më të madhe të vitaminës B1 në prodhime ushqimore:
- Në 100 g fidanë gruri - 2 mg
- Në 100 g fasule të sojës - 1 mg
- Në 100 g mish derri - 0,90 mg
- Në 100 g bizele - 0,76 mg
- Në 100 g mish viçi - 0,60 mg
- Në 100 g fasule të bardha - 0,50 mg
- Në 100 g mish pule - 0,10 mg
- Në 100 g patate – 0,10mg
Po ashtu në sasi të ndryshme në:
- Majën e birrës
- Produkte drithërash
[redaktoni] Nevoja trupore
Trupi i njeriut ka nevojë varësisht nga gjinia për vitaminën B1:
- Femrat 1,0 mg/ditë
- Meshkujt 1,2 mg/ditë
[redaktoni] Hipovitaminoza – Pasojat e mungesës së Vitaminës B1
Mungesa e përgjithshme e tiaminës në organizëm mund të dërgoj në probleme të panumërta duke përfshirë këtu degjenerimin e neuroneve dhe në raste të rënda mund të qoj deri te vdekja.
Mungesa e tiaminës mund të shkaktohet për shkak të ushqimit të mëngët, dietave me produkte të pasura me tiaminazë (enzimë që bënë shpërbërjen e kësaj vitamine) siç janë peshku i pazier i ujit të pastër, gaforret e freskëta të paziera, etj. Po ashtu dhe konsumimi i prodhimeve me përbërje të lartë të faktorëve kundër-tiaminik (çaji, kafeja, arrat “Areca catechu”) mund të shkaktoj mangësi vitaminoze.
Sindrome të njohura të shkaktuara nga mungesa e vitaminës B1 përfshijnë Sindromën Wernicke-Korsakoff dhe Beri-Berin, sëmundje këto që janë shumë të shpeshta te personat me shpërdorim dhe konsumim kronik të alkoolit.
[redaktoni] Simptoma të hipovitaminozës
- Pengesa të metabolizmit të karbohidrateve dhe të sistemit nervor
- Depresione dhe tensionim
- Lodhja, humbja e apetitit, dobësi koncentrimi, atrofia e muskujve
- Pagjakësia - Anemia
- Dhimbje koke të shpeshtuara
- Pengesa në kujtesë, hutim
- Dështimi i punës së zemrës
- Edeme, shtypje e ulët e gjakut
- Frymëmarrje e shkurtuar
- Prodhimi i ulur i antitrupave gjatë infeksioneve
- Muskujt e dobësuar (sidomos ata të pulpës së këmbës)
- Sëmundja: Beri-Beri
[redaktoni] Beri-Beri
Kjo sëmundje u paraqit kur njerëzit filluan të bëjnë fërkimin e orizit duke ja larguar kështu lëvoren e pasur me vitamina. Në Evropë ajo u bë prezente, kur mielli u blua aq imtë sa që u zhduk fidani i pasur me vitamina i grurit dhe kështu nuk mund të merrej më kjo vitaminë nëpërmes të bukës.
Po ashtu çdo shijim i sheqerit industrial gjatë tretjes së tij harxhon shumë vitaminë B1, fakt që edhe më shumë mund të keqësoj mungesën e kësaj vitamine.
Beri-Beri paraqitet shpesh në vendet e Azisë lindore dhe në Japoni, ku orizi është prodhimi kryesor i ushqimit. Po ashtu edhe në vendet e pazhvilluara është ende shumë e shpeshtë. Në vendet industriale e gjejmë këtë sëmundje në të shumtën e rasteve si pasojë të alkoolizmit ose ushqimit të gabuar.
Simptomat e Beri-Berit janë: pengesat neurologjike, atrofia e muskujve, insuficienca e zemrës.
[redaktoni] Sëmundjet gjenetike
Sëmundjet gjenetike të transportit të Vitaminës B1 janë të rralla por shumë serioze. Mund të shkaktohen si pasojë e mutacionit autozomal recesiv në gjenin SLC19A2, që bënë kodimin e një proteine transporti me afinitet të lartë të tiaminës. Këto sëmundje përfshijnë anemi megaloblastike me sëmundje të sheqerit (diabetes mellitus) dhe pengesa në sistemin sensoro-neuronal.
[redaktoni] Hipervitaminoza - Pasojat e mbi dozimit
Te dozat mbi 200 mg reagojnë p.sh nervat me ndjeshmëri të madhe ndaj ngacmimeve nervore.
Rastet e vetme të dozimit të tepruar të vitaminës B1 kanë ndodhur me rastin e injeksionit intravenoz të kësaj vitamine. Këto raste mund të rezultojnë deri në reaksione trupore të rënda alergjike anafilaktike.
![]() |
Ju lutemi shikoni edhe Udhëzimin rreth artikujve të mjekësisë! |